
VLEN: BDI/AKI vetëm bërtasin për pushtet
Qytetarët e shqiptarëve për vite me radhë panë si një grusht njerëzish vidhnin dhe pasuroheshin mbi djersën e tyre, ndërkohë që BDI u rrinte rojë dhe u siguronte karrige. Kjo epokë ka marrë fund, deklaron VLEN.
Sipas vendimit të Qeverisë, në krye të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë është vendosur zëvendëskryeministri Arben Fetai, një nga liderët e VLEN-it.
“Ky është institucioni më i lartë që do të garantojë se askush nuk do të mund ta mbajë pasurinë e fituar me korrupsion dhe krim”, thekson VLEN.
Për herë të parë, shqiptarët udhëheqin mekanizmin që ua merr pasurinë hajdutëve dhe e kthen për interes publik.
“Ky është dallimi mes atyre që i mbronin kriminelët dhe shtetit që sot, falë VLEN-it, ua konfiskon pasurinë”, shtojnë ata.
VLEN akuzon BDI/AKI-n se bërtasin për ‘botë serbe’, por sipas tyre, bota e tyre e vetme është korrupsioni dhe katrahura që e lanë pas në çdo komunë.
“VLEN nuk do të lejojë kurrë ndikime të jashtme që cenojnë rrugën euroatlantike. Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe raportet ndërkombëtare si Western Balkans Anti-Disinformation Hub janë paralajmërim serioz për ta”, thonë nga VLEN.
Sipas tyre, BDI/AKI vetëm bërtasin për pushtet dhe kërkojnë çdo mënyrë për t’i shpëtuar korrupsionit që i ka zënë për fyti, ndërsa VLEN vepron për qytetarët.
“Ne veprojmë për qytetarët, komunat po i ringjallim dhe pasurinë e vjedhur do t’ua kthejmë atyre që u takon: qytetarëve”, përfundon deklarata.