VLEN dhe BDI shkëmbejnë akuza për konkursin e policisë
Bashkimi Demokratik për Integrim kundërshton deklaratën e zëvendësministrit të Brendshëm Astrit Iseni, se nuk ka pasur interesim të mjaftueshëm të shqiptarëve në shkollën e policisë. BDI thotë se kanë konkurruar 105 kandidat shqiptarë, ndërsa janë pranuar vetëm nëntë shqiptarë, duke publikuar edhe tabelën me të dhënat e kandidatëve shqiptarë që kanë konkurruar në shkollën e mesme për polic.
BDI
“Të dhënat dhe listat e kandidatëve e demaskojnë publikisht gënjeshtrën e Astrit Isenit dhe VLEN-it se shqiptarët nuk kanë pasur interesim apo nuk kanë konkurruar për pranim në shkollën e mesme për polic. Plot 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për pranim, por nuk janë pranuar”.
Ka reaguar partia VLEN duke theksuar se është gënjeshtër e pastër përpjekja e BDI-së për të përzier konkursin për punësim në polici me konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë. Partia thekson se këto janë dy procedura krejtësisht të ndryshme dhe manipulimi i tyre është dëshmi e dëshpërimit politik të një partie që po përpiqet të krijojë perceptim të rremë te opinioni publik.
VLEN
“Ironia më e madhe është se sot BDI hiqet si mbrojtëse e shqiptarëve. Por ku ishin zëvendësministrat e BDI-së kur qëndronin krah ministrave që i quanin shqiptarët “terroristë”? Ku ishin kur një ministër deklaronte se nuk i jepte të drejtë një shqiptari të fliste vetëm pse e kishte dënuar?”
Reagim ka bërë edhe zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni. Ai thotë se konkursi për policë dhe konkursi për nxënës në shkollat e mesme, përveç se janë dy konkurse të ndryshme, nuk kanë asgjë të përbashkët.
Astrit Iseni, zëvendësministër i Brendshëm
“Nëse ‘Shtabi Sot’ e ngatërron pa dashje konkursin e punësimit me atë të shkollës së mesme, ka nevojë për një rikthim në bankat e shkollës së mesme, nëse kjo bëhet me qëllim, atëherë nuk është gjë tjetër veçse një tentativë amatoreske për manipulim”.
Partitët opozitare shqiptare reaguan pasi sipas tyre nga 310 nxënës të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”, vetëm 9 ishin shqiptarë. Ndërsa zëvendësministri i Brendshëm Iseni u përgjigj se konkursi nuk ka qenë as afër pritshmërive të tyre, pasi edhe nga ata pak kandidatë shqiptarë që kishin aplikuar, një numër nuk ishin paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr paraprakisht nga gara.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
