
VLEN-i i përgjigjet ASH-së: Ata që sabotuan punësimet e shqiptarëve, sot bëjnë viktimën
Ata që i lanë në baltë të rinjtë shqiptarë, duke sabotuar krejt procesin e punësimeve, nuk kanë asnjë të drejtë sot të derdhin lot krokodili. Hipokrizia e tyre nuk mbulohet as me deklarata patetike, as me fjalë të mëdha.
Të njëjtët që deri dje bënin fushatë duke akuzuar se shqiptarët nuk po punësohen, sot, kur po punësohen qindra të rinj shqiptarë, na akuzojnë pse po e bëjmë këtë. Duket qartë se nuk i shqetëson mirëqenia e shqiptarëve, por fakti se procesi po zhvillohet pa ta dhe jashtë ndikimit të tyre.
E vërteta është se halli i vetëm i tyre është si të shpëtojnë nga gracka ku i futi Ali Ahmeti. Partnerët më të rinj të BDI-së nuk e kanë asnjëherë në mendje rininë shqiptare, por vetëm si ta justifikojnë humbjen e thellë që i pret në tetor.
E si do ta justifikojnë? Me të njëjtat “lista të veçanta” për të cilat u larguan nga VLEN-i dhe u përqafuan me BDI-në. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë lojë të vjetër dhe nuk do t’ju falin, thonë nga VLEN.
Sot, nga ASH-ja e Arben Taravarit njoftuan që ditëve të fundit, Aleanca për Shqiptarët ka pranuar dhjetëra ankesa serioze nga të rinj shqiptarë, të cilët po viktimizohen nga shantazhet dhe presionet kriminale të funksionarëve të VLEN-it.
Sipas partisë, këta individë “po i detyrojnë, me forcë dhe pa asnjë lloj vullneti, të ekspozohen në rrjetet sociale nën pretekstin e ‘punësimeve’.”
Aleanca për Shqiptarët thekson se:
“Shumica e këtyre të rinjve janë punësuar me kontrata të përkohshme, që skadojnë në fund të vitit. Këto kontrata janë negociuar drejtpërdrejt me kryeministrin Mickoski, i cili po i trajton si ‘pronë personale’ për shpërdorim të buxhetit publik, në funksion të interesave të tij politike dhe elektorale.”
Kjo praktikë cilësohet si:
“E turpshme, e paligjshme dhe thellësisht anti-demokratike.”
Aleanca për Shqiptarët apelon:
“U bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Diskriminimit, organizatave të shoqërisë civile dhe sindikatave të punës të reagojnë menjëherë. Kërkojmë verifikime të plota dhe masa ligjore ndaj çdo zyrtari që ushtron presion dhe shantazh përmes punësimeve të përkohshme.”
“Liria, dinjiteti dhe e drejta e punësimit janë të paprekshme. Askush nuk ka të drejtë t’i përdhosë ato në emër të politikës apo interesave personale,” përfundon njoftimi i Aleancës për Shqiptarët. Flaka Media