
VLEN-i ia mohon AKI-it të drejtën të flasë për “Botën Serbe”
Koalicioni në pushtet, VLEN ka reaguar ashpër ndaj BDI/AKI-së, duke i akuzuar se nuk kanë as moralin dhe as kredibilitetin për të folur për “botën serbe”.
“BDI/AKI me gjysmën e kryesisë në lista të zeza ndërkombëtare nuk kanë as moralin dhe as kredibilitetin të flasin për ‘botën serbe’, sepse Abaz Xhuka i UÇK-së nga korrupsioni përfundoi në Ali Ahmetin e Soravisë. Nëse dikush për dy dekada i ka shërbyer interesave të Serbisë, atëherë janë pikërisht ata që sot bëjnë moral me ‘shqiptarinë’. Shkurt e shqip sa keni punuar ju për shqiptarët, aq ka punuar Mijallkovi për drejtësinë,” thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas VLEN-it, në vend që të ofrojnë ide për jetën e përditshme të qytetarëve, BDI/AKI manipulojnë dhe shpifin vetëm për të mbuluar korrupsionin.
“Vetë raporti i Western Balkans Anti-Disinformation Hub paralajmëron për rrezikun e keqpërdorimit të marrëdhënieve ndëretnike për dezinformata dhe tensione, pra, modeli i pastër i BDI/AKI-së,” thekson më tej VLEN.
Ata përmendin një sërë bashkëpunimesh që i quajnë të errëta dhe në dëm të interesave shqiptare:
- “Ballkani i Hapur” i kundërshtuar nga Kosova dhe VLEN;
- 11 takime të Bujar Osmanit në Beograd dhe asnjë në Prishtinë;
- Plani 9-pikësh në dëm të Kosovës;
- Fatmir Besimi duke shtrënguar duart me gjeneralë serbë të akuzuar për krime lufte;
- Hyrja e MTEL-it serb në tregun e Maqedonisë së Veriut;
- Tentativa për t’ia dorëzuar Tetovën oligarkut të sanksionuar Daka Davidoviq;
- Nënshtetësia për Onishçenkon e nënshkruar nga Artan Grubi.
“Madje edhe simbolikat e Car Dushanit, Car Samoilit, kuajve e luanëve janë pjellë e politikave të BDI-së,” vijon reagimi.
VLEN përfundon se shqiptarët nuk kanë përballë “botën serbe”, por botën e korrupsionit 20-vjeçar të BDI/AKI-së:
“Kjo është e vërteta e BDI/AKI-së. Nuk ekziston ‘botë serbe’, por ekziston bota e korrupsionit dhe e katarahurës së 20 viteve pushtet, që shihet me sy të lirë në çdo komunë ku ata qeverisin. Shqiptarët meritojnë më shumë dhe sot alternativa e vetme reale për ndryshim është VLEN.” Flaka