VLEN: Kryetari i Këshillit Europian e vërtetoi perspektivën euroatlantike
Vizita e një dite më parë të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, ka përplasur partitë politike shqiptare. Nga Aleanca për Shqiptarët, deklarojnë se me qendrimin e Koshtës, Brukseli ia ka rrëzuar Qeverisë të gjitha arsyetimet e prodhuara për konsum të brendshëm dhe gjithashtu sipas tyre, ka nxjerrur në pah dështimin politik koalicionit VLEN, të cilët nga ASH theksojnë se kanë hyrë në Qeveri me premtimin se ndryshimet kushtetuese do të bëheshin në gjashtëmujorin e parë.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Heshtja e VLEN-it sot nuk është kujdes politik. Është pranim i pafuqisë. Është dorëzim para VMRO-DPMNE-së. Është largim nga zotimi mbi të cilin kërkuan besimin e shqiptarëve. VLEN nuk mund të sillet sikur nuk është pjesë e pushtetit. Mban poste në Qeveri, merr pjesë në vendimmarrje dhe mban përgjegjësi për bllokadën që po e mban vendin larg rrugës evropiane”.
Nga ASH kërkojnë që VLEN menjëherë t’i kthehet marrëveshjes bazë dhe të kërkojë nisjen e procedurës për ndryshimet kushtetuese.
Ndërkaq, nga ana tjetër, nga VLEN, kanë përshëndetur vizitën dhe mesazhin evropian të presidentit Antonio Koshta dhe e kanë vlerësuar atë si një konfirmim të rëndësishëm të perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
VLEN
“Integrimi në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik dhe aspiratë e gjeneratave të tëra. Vizita e Presidentit Costa është inkurajim për të vazhduar me përkushtim reformat dhe proceset që e afrojnë vendin me familjen evropiane.Në këtë drejtim, VLEN do të vazhdojë të japë kontributin e vet institucional përmes zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, duke e mbajtur Agjendën reformuese në qendër të procesit eurointegrues”.
Nga partia VLEN theksojnë se ata mbeten të përkushtuar që siç thonë, përmes punës, dialogut dhe reformave, të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje plotësisht evropiane për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se gjatë vizitës së tij në Shkup, Koshta tha se realizimi i ndryshimeve ksuhtetuese është e vetmja mënyrë për ta zhbllokuar procesin eurointegrues.
Samir Mustafa /SHENJA/
