
VLEN: Ministri i BDI-së, Naser Nuredini, dha lejen për depon e Trubarevës
Koalicioni VLEN ka akuzuar BDI-në si përgjegjëse kryesore për katastrofën ekologjike në Shkup dhe për lejen e dhënë për punë në deponinë e mbeturinave elektronike në Trubarevë, e vendosur pranë zonave të banuara. Sipas VLEN-it, nënshkrimi i lejes ishte zgjedhje personale e Ali Ahmetit dhe një mik i ngushtë i Bujar Osmanit.
“BDI po përpiqet t’ua kalojë përgjegjësinë të tjerëve, por qytetarët e dinë se kjo parti është fajtorja kryesore për katastrofën ekologjike që po përjeton Shkupi dhe e gjithë Maqedonia e Veriut,” tha VLEN.
Sipas koalicionit, gjatë 20 viteve të menaxhimit të ekologjisë, BDI ka krijuar deponi në qendër të Tetovës, Kërçovës, pranë Strugës dhe dhjetëra të tjera rreth Shkupit, duke lënë qytetarët me një mjedis toksik. Drejtori i ndërmarrjes publike për mbeturinat është gjithashtu kuadër i BDI-së.
“Ndërsa qytetarët jetonin në ajër të ndotur dhe tokë helmuese, zyrtarët e BDI-së investuan në qendra tregtare, termocentrale fotovoltaike dhe biznese nafte. BDI nuk ka të drejtë të flasë për ekologjinë,” theksojnë nga VLEN.
Koalicioni u shpreh se më 19 tetor qytetarët do të kenë mundësinë t’i thonë stop kësaj politike dhe të zgjedhin autoritete që do të rivendosin një mjedis të pastër, do të mbyllin deponitë e paligjshme dhe do të vendosin rend në menaxhimin e mbeturinave.
“Si është e mundur që BDI të akuzojë Izet Mexhitin për një leje të nënshkruar kur Naser Nuredini ishte ministër? Si është e mundur që partia që ka qeverisur 20 vjet në resorin e mjedisit të akuzojë një ministër për 1 vit e gjysmë? Kjo tregon sa larg janë nga realiteti dhe sa paturpësisht nënvlerësojnë qytetarët,” përfundojnë nga VLEN.