
VLEN: Regjistrimi i vitit 2021 ishte tradhti, jo dështim – Diaspora u fshi qëllimisht
Në një paraqitja para mediave, përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Blerim Sejdiu, hodhi akuza ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur atë një projekt të mirëorganizuar politik për të zvogëluar shqiptarët në statistika dhe për t’i përjashtuar nga vendimmarrja.
“Ky nuk ishte proces statistikor. Ky ishte projekt politik, i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra, për t’i fshirë nga statistikat, për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes,” – u shpreh Sejdiu.
Ai akuzoi direkt BDI-në dhe LSDM-në për orkestrimin dhe zbatimin e kësaj skeme, përmes Entit Shtetëror të Statistikave, duke vendosur një ndarje artificiale e të qëllimshme midis “rezidentëve” dhe “jo-rezidentëve”.
“Diaspora jonë, që e ka mbajtur në këmbë ekonominë e këtij vendi për dekada, u trajtua si e padukshme, si statistikisht e pavlefshme, si problem për t’u shmangur,” – shtoi ai, duke theksuar se ajo u përjashtua me qëllim sepse “nuk mund të frikësohej, nuk mund të blinte vota, nuk mund të manipulohej.”
Sejdiu ngriti një sërë pyetjesh publike mbi mospërputhjet evidente mes të dhënave të regjistrimit dhe rezultateve zgjedhore:
“Si është e mundur që në Reçicë të Vogël regjistrimi të numërojë vetëm 1.653 shqiptarë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dalin mbi 2.400 vota vetëm për partitë shqiptare? Apo që në Zhelinë ka 3432 banorë, por 4103 votues?”
Ai e cilësoi si “qershia mbi tortë” krijimin e kategorisë fiktive “persona për të cilët të dhënat janë marrë nga burime administrative”, që sipas tij prodhoi mbi 132 mijë “banorë të panjohur”, shumica maqedonas, ndërsa shqiptarët e diasporës u lanë jashtë.
Në fund, Sejdiu përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli si antikushtetuese ndarjen “rezident/jorezident”, duke e quajtur këtë “fitore të së vërtetës dhe dënim moral për tradhtarët e interesit kombëtar”.
“Regjistrimi i vitit 2021 nuk ishte dështim, ishte TRADHTI. Një tradhti e planifikuar, e zbatuar me urdhër nga lart, me puthadorë të bindur në çdo institucion,” – theksoi ai.
Sejdiu konfirmoi se VLEN do të angazhohet për një riregjistrim të diasporës dhe për përfshirjen e saj të plotë në vendimmarrje, duke e mbyllur me mesazhin:
“Unë jam me mërgatën, unë jam rezident!”
VLEN ka paralajmëruar se nuk do të ndalet derisa kjo padrejtësi të korrigjohet dhe çdo shqiptar të përfaqësohet siç e meriton – me dinjitet dhe barazi.