VLEN: Talat Xhaferi “vulosi përjashtimin” e shqipes nga provimi i jurisprudencës
Koalicioni VLEN ka reaguar duke publikuar një dokument të datës 27 gusht 2019, të nënshkruar nga Talat Xhaferi, të cilin e cilëson si dëshmi të “neglizhencës dhe tradhtisë politike” në lidhje me çështjen e provimit të jurisprudencës dhe përdorimit të gjuhës shqipe.
Sipas VLEN-it, në periudhën kur Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte tashmë në fuqi, atëherë kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk ka kërkuar harmonizimin e ligjit për provimin e jurisprudencës me dispozitat për gjuhën shqipe. Në deklaratë thuhet se ligji është shpallur i pranueshëm pa u garantuar përdorimi i gjuhës shqipe në këtë provim.
Koalicioni gjithashtu kritikon faktin se ligji është miratuar me mekanizmin e Badenterit, me mbështetjen edhe të deputetëve shqiptarë të asaj kohe, të cilët sipas tyre nuk kanë insistuar që provimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. VLEN vlerëson se kjo ka sjellë pasoja për studentët shqiptarë.
Në reagim përmendet edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke u akuzuar se gjatë më shumë se 20 viteve qeverisje me ministra të drejtësisë nga radhët e saj nuk e ka zgjidhur këtë çështje. VLEN i quan reagimet aktuale të BDI-së si “të vonuara” dhe “hipokrite”.
Në fund të deklaratës, VLEN thekson se angazhohet që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar gjuhën si çështje dinjiteti dhe drejtësie.
