Volf: Duhet qartësi, disa pilotë shtyejnë kufijtë në një nivel të tepruar
Formula 1 do të spostohet këtë fundjavë në pistën e famshme angleze të Silverstounit. Gjithsesi, të gjithë flasin për incidentin e garës së fundi në Austri, ku protagonistë ishin Maks Verstapen e Lando Noris. Përplasja mes tyre favorizoi Xhorxh Rasellin, që i dha “Mercedesit” fitoren e parë sezonale.
Shefi i Mercedesit, Toto Volf, duke folur për atë që ndodhi në pistë theksoi se Verstapen kërkon limitet e lejuara me rregullore.
“Maks piloton fort dhe shtyn aq sa e lejojnë rregulloret. Dhe kjo padyshim mund të jetë një temë diskutimi, por duhet të zbatohet për të gjithë pilotët. Ka shumë pilotë që po i shtyjnë kufijtë në një nivel që mund të gjykohet si i tepruar, ndaj duhet bërë qartësi”.
Më tej, Volff ka prekur tema të ndryshme, duke nisur nga lamtumira e Hamilton.
“Do të jetë interesante kur të veshë për herë të parë kostumin e kuq dhe të drejtojë një Ferrari për herë të parë. Por më pas do të jetë normale, ai thjesht do të ketë ngjyra të ndryshme veshur”.
Duke folur për Adrien Njui, Toto Volf theksoi se ekipi është përqëndruar në zhvillimin e makinës.
“Nuk e di se ku do të punojë në 2025-ën, ndoshta as ai nuk e di ende. Ne jemi të fokusuar në strukturën tonë aktuale dhe po shohim përfitimet e para në makinë dhe në perspektivat e 2026-ës. Të besosh thashethemet është gjithmonë e rrezikshme, pres gjykimin e kronometrit dhe pistës”.