Voska Sport sfidon Gostivarin, Shkëndija takohet me Brera Strumicën
Xhiroja e 22-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë sjell 6 ndeshje gjatë ditës së mërkurë. Pas triumfit në mesjavë, Voska Sport përballet me Gostivarin, që nuk njeh disfatën gjatë kohë.
“Pas ndeshjes me Makedonija Gjorçe Petrov, kemi atmosferë relativisht të mirë dhe pozitive. Kjo ndikon shumë në aspektin psikologjik futemi më lehtë dhe pa shumë presion në ndeshjen e nesërme ndaj Gostivarit. Shpresoj që të marrim maksimumin e pikëve, pasi si çdo fitore edhe kjo e ditës së nesërme na nevojitet shumë për në vijim të kampionatit. Kemi respekt për skuadrën e Gostivarit, por ne jemi përgatitur dhe do të japim më të mirën tonë të mundshme për të fituar ndeshjen”, tha mes tjerash Shemil Jahiji nga Voska Sport.
Kampionët në fuqi, Struga Trim Lum rikthehen të luajnë në shtëpi, aty ku do të presin Makedonija Gjorçe Petrovin me trajnerin e ri Boban Gërnçarov.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne si skuadër, e ku patjetër duhet që të marrim e pikët e plota. Edhe pse Makedonija Gj.P gjendet në pozitën e fundit, nuk duhet nënvlerësuar këtë kundërshtarë, por duhet ti futemi ndeshjes me shumë seriozitet dhe besim që të vazhdojmë drejt rrugës për titullin kampion”, ka thënë Ard Kasami nga radhët e Strugës.
FC Shkupi do të luaj në Shtip ndaj Bregallnicës dhe do të kërkojë fitoren për të anuluar pikët e humbura ndaj Tikveshit. Ndërkohë Shkëndija e Tetovës në këtë xhiro do të përballet me Brerën në Strumicë.
“Po mendoj se pas asaj ndeshje, pas asaj atmosfere kemi një ndenjë shumë të mirë. Shpresojmë që të vazhdojmë me këto rezultate. Besoj te ekipi, shkojmë atje për tre pikët. Shpresoj që fund t’ia arrijmë qëllimit dhe të vazhdojmë tutje”, tha mes tjerash Endrit Krasniqi, pas fitores 3-0 ndaj Vardarit. Në sfidat e tjera, Vardari takohet me Rabotniçkin dhe Tikveshi përballet me Sileksin.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së 22-të nisin në orën 14:00.