Vrasja e policit e ‘çon’ në këmbë Serbinë, Daçiq: Artan Hajrizi gënjeu se vëllai ia vodhi dokumentet
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, tha se vrasja e një zyrtari policor në Lloznicë dyshohet të jetë akt terrorist. Dy persona janë arrestuar deri më tash, teksa i dyshuari kryesor ndodhet akoma në arrati. Emri i shumëpërfolur për vrasjen e policit serb është Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, raporton Gazeta Sinjali.
MPB e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Por, Daçiq tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.
“Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiq.
“Personi të cilit i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni i ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani?!”, tha ai.
Nga kjo shihet, siç thotë ai, se për këtë është rënë dakord më herët dhe se ka qenë një akt i organizuar.
“Policia gjermane duhet të përgjigjet urgjentisht nëse Fatoni ka qenë në Hanover dhe si ka hyrë e ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë dhe pse, me çfarë qëllimi? Pasoja e atij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një polici dhe për këtë kërkojmë dhe presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe EULEX-in, jo gënjeshtra që askush nuk i beson”, tha Daçiq.