Vrasja e të riut nga Podujeva, reagon ashpër imami Enis Rama
Imami i njohur nga Mitrovica, Enis Rama përmes një shkrimi në Facebook ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në Podujevë, ku u rrah për vdekje 18 vjeçari, Lulzim Fejzullahu.
Shkrimi i plotë i tij në Facebook
Vrasjen e Lulit nga Podujeva duhet trajtuar me përgjegjësi dhe maturi.
Arroganca në sjellje, pamëshira në goditje, guximi dhe trimëria djallëzore të shprehura në pamjet e incizuara na përçojnë mesazhe alarmi për gjendjen e një numri jo të vogël të rinisë tonë.
Ku po e marrin guximin për këto goditje?
Kush po i frymëzon për vepra të tilla?
Ku e ka burimin kjo urrejtje dhe arrogancë?
Pse janë shpeshtuar rastet e këtyre vrasjeve makabre?
Mungesa e projekteve edukative, dënimet e kontestuara, programet degjeneruese, muzika me përmbajtje të dhunshme dhe promovuese të çdo dukurie negative janë disa adresa ku mund t’i gjejmë përgjigjet e kërkuara.
Mllefi dhe mërzia me këtë rast të mos mbeten postime e reagime mirëpo të shndërrohen në vetëdije dhe lëvizje shoqërore për të marr përgjegjegjësitë që na takojnë.
Vendimet e menjëhershme për ndalimin e disa programeve dhe spoteve të publikuara në media, marrja në përgjegjësi ligjore e atyre që paguhen për të ndaluar dukuri të tilla, hapësirë më tepër ligjërimit fetar dhe edukativ në shkolla dhe media, mund të jenë dëshmi se kësaj rradhe e kemi më seriozisht.
Unë dua të besoj se ata që e vranë Lulin nuk e përfaqësojnë rininë tonë. Ata vetëm e njollosin atë.