Vrasja në Debresh të Gostivarit, Prokuroria nis procedurën hetimore ndaj tre vëllezërve të përfshirë në rast
Nga Prokuroria Themelore Publike njoftojnë se kanë dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj tre vëllezërve të cilët dyshohen për vrasjen e 35-vjeçarit me iniciale R.K. në Debresh.
Nga Prokuroria thonë se vëllezërit dyshohet se me paramendim kanë privuar nga jeta bashkëfshatarin e tyre, ndërkaq motivi dyshohet të ketë qenë hakmarrja.
“Në ditën kritike fillimisht ka ndodhur një përleshje fizike mes njërit prej vëllezërve dhe viktimës. Pas përleshjes, i dyshuari ka thirrur vëllezërit e tij, të cilët të revoltuar kanë marrë armë zjarri nga shtëpitë e tyre – një kallashnikov dhe një pistoletë. Të tre kanë shkuar në shtëpinë e viktimës me një veturë të tipit “Volvo” me targa të Zvicrës. Kur e kanë gjetur, kanë qëlluar drejt tij me pistoletë dhe me automatik, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë zjarri nga të cilat viktima ka ndërruar jetë menjëherë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.