Xhafaj: Shtyllat e Reformës në Drejtësi të miratuara në vitin 2016 janë për ne të panegociueshme (VIDEO)
“Shtyllat e Reformës në Drejtësi të miratuara në vitin 2016 janë për ne të panegociueshme”. Deklaratën e bëri një ditë më parë kryetari i Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj gjatë një konferencë për media teksa komunikoi edhe përfundimin e draftit të parë të analizës së situës për të tre fushat objekt i punës së këtij komisioni.
“Ne e konsiderojmë Reformën në Drejtësi, një prej lëvizjeve më të mëdha shtetndërtuese në historinë e shtetit shqiptar. Ne jemi shumë krenarë që kemi inicuar, hartuar, realizuar dhe zbatuar reformën në drejtësi. Shtyllat e reformës në drejtesi, të miratuara në 2016, janë për ne të panegociueshme!”, deklaroi Xhafaj.
Në vijim të fjalës së tij tha se çdo hap pozitiv që është hedhur në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, është falë Reformës në Drejtësi.
“Kjo reformë na solli deri këtu ku jemi me procesin e negociatave dhe çdo hap pozitiv që kemi bërë në këtë proces është edhe fal reformës në drejtësi! Ne kemi vendosur të ndërmarrim tashmë këtë projekt të ri për thellimin e reformave në këto 3 fusha për t’i dhënë të njëjtën energji dhe shtysë të fortë, si reforma në drejtësi, edhe procesit për avancimin e negociatave në këtë fazë zhvillimi. Përmes këtij procesi ne synojmë të garantojmë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe njëherësh rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Xhafaj.
Draft-Dokumenti i Analizës do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi me grupet e interesit, institucionet shtetërore dhe agjencitë ekzekutive, si dhe me ekspertët e konsulentët ndërkombëtarë. Më pas do t’i kalojë për diskutim dhe miratim Komisionit të Posaçëm Parlamentar.