Ylli i Serie A drejt La Liga, Barcelona e Atletiko Madridi në garë
Shtohen çdo ditë e më shumë zërat se sulmuesi argjentinas Paulo Dibala mund të luajë në Spanjë sezonin e ardhshëm. E përditshmja iberike “Sport” konfirmon se Barcelona dhe Atletiko Madridi janë vënë në gjurmë të sulmuesit.
30-vjeçari ka një klauzolë prej 13 milionë eurosh për të lënë Romën në rast se vjen një ofertë nga jashtë Italisë. Një shumë e vogël për një kampion bote, ndaj dy ekipet e La Liga janë gati të marrin sulmuesin argjentinas.
Kontrata e Dibala-s me Romën skadon në vitin 2025, ndaj klubi italian mund ta lërë të lirë për të evituar një transferim me koston zero. Nga ana tjetër, menaxheri i Dibala pret një telefonatë nga klubi verdhekuq për të diskutuar një rinovim të mundshëm të kontratës.
Dibala është në sezonin e tij të dytë te Roma, ku në 64 ndeshje zyrtare ka realizuar 31 gola. Aventura e tij në kryeqytetin italian është karakterizuar nga mjaft dëmtime.