
Yllka Nuredini godet ish bashkëpartiakët: Politika me mashtrime nuk ju shpëton më, shqiptarët nuk kanë tru peshku!
Kryetarja e FRASH, Yllka Nuredini, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ish bashkëpartiakëve të deridjeshëm duke i akuzuar për mashtrime, pazare nën tavolinë dhe bashkëpunim të fshehtë me BDI-në.
“Politika me spine, mashtrime dhe shtrembërim të fakteve nuk ju shpëton më!” – shprehet Nuredini, duke kritikuar ashpër kthesën e bërë nga disa liderë politikë shqiptarë pas zgjedhjeve të fundit. Sipas saj, përqafimi i BDI-së nga ana e tyre është tradhti ndaj besimit të votuesve shqiptarë.
Ajo shton se shqiptarët nuk harrojnë lehtë dhe janë të vetëdijshëm për lojërat politike që bëhen në prapaskenë:
“Ata mbajnë mend shumë mirë kush i tradhtoi, kush u përul dhe kush po përpiqet të mbijetojë politikisht me shpifje e viktimizime.”
Nuredini paralajmëron se 107 mijë votat që u mobilizuan kundër BDI-së, janë po ato që do t’i rrëzojnë ata që, sipas saj, po mundohen të shesin veten si opozitë, ndërsa realisht po luajnë në shërbim të kundërshtarëve.
“Për ju nuk ka më tetor. Dhe mbi të gjitha, tani as Aliu nuk ju do! Tregoni tani – A i’ua dhanë gjashtë komunat, apo ju lanë me gishta në gojë?”./ZYRTARE.net