
“Zbogum Evropë”? Apo thjesht mirupafshim: Patriotizmi si alibi për stagnimin e integrimeve
AA
A i ka thënë Maqedonia lamtumirë Evropës, apo vetëm një mirupafshim të përkohshëm, është sot pyetja më e rëndësishme politike, edhe pse ka përpjekje që kjo të zbehet përmes parullave patriotike.
Shkruan Sonja Kramarska/DW
E pyeta ChatGPT-in se si e interpreton qëndrimin e VMRO-DPMNE-së dhe të kryeministrit dhe liderit të partisë, Hristijan Mickoski, për të mos bërë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në aktin tonë kushtetues. M’u përgjigj se kjo do të thotë që pushteti është më i gatshëm ta paguajë çmimin e bllokadës shtetërore sesa çmimin e një poshtërimi të ri. Me fjalë të tjera, partia në pushtet dhe udhëheqësia e saj, që ndodhet në qeveri, kanë vlerësuar se do të fitojnë më shumë simpati në skenën e brendshme nëse nuk e përmbushin kushtin e kornizës negociuese sesa nëse e përmbushin.
Nga këtu, ngjarjet menjëherë para dhe pas votimit të raportit të Tomas Vajc mund të përshkruhen si një lamtumirë ndaj Evropës, sepse kryeministri e bëri të qartë se nuk do të bëjnë ndryshime kushtetuese. “Në mënyrë talebane fshihet identiteti dhe gjuha maqedonase nga raporti i Evropës”, tha Mickoski. Ai deklaroi gjithashtu se nuk do që dikush t’i përmendë se pakica bullgare është problem dhe se që nesër mund të përfshihet në Kushtetutë, por që hapat e ndërmarrë nga fqinji lindor në korridoret evropiane tregojnë qëllime të tjera të Sofjes.
Megjithatë, deklarata të tilla duken mirë vetëm nëse çojnë drejt një zgjidhjeje dhe jo drejt një ngërçi. Përjashtimi i Maqedonisë nga rruga drejt BE-së nënkupton pagesën e një çmimi politik, ekonomik dhe demografik. Mickoski tha se nuk do të tërhiqemi nga negociatat. “Qëndrojmë edhe më të përkushtuar,” thotë ai, “dhe do të dëshmojmë se me reformat në vend jemi nxënësi më i mirë në klasë dhe të dëshiruar nga BE-ja”. Por në cilat negociata qëndrojmë? Nëse i referohet negociatave bilaterale me Bullgarinë, të tilla nuk ekzistojnë. E nëse i referohet negociatave për anëtarësim në BE – as ato nuk ekzistojnë. Kushti është i qartë: së pari bullgarët në Kushtetutë, pastaj shkrirja e negociatave.
Loja e Evropës
Qeveria do të duhet të shpjegojë më në detaje në çfarë negociatash qëndron me BE-në ose me fqinjin lindor, përveç nëse premtimi se nuk do të largohet nga tryeza është vetëm një frazë për opinionin. Ajo që shihet tani është një shpërthim i patriotizmit – tërheqës dhe i kalkuluar përballë përballjes zgjedhore në tetor. Edhe pse zgjedhjet lokale nuk kanë peshën e atyre parlamentare, është e dukshme se VMRO-DPMNE-ja do ta vendosë patriotizmin si bast politik në përballjen e forcave.
Nga ana tjetër, tronditëse është edhe loja që bëri Evropa me fshirjen kolektive të fjalëve “gjuha maqedonase dhe identiteti”. Sepse me ndërmarrjen e një veprimi të tillë, me siguri nën presionin e Bullgarisë, Parlamenti Evropian arriti të shndërrojë një dokument të zakonshëm dhe jodetyrues në një motor raketë për euroskeptikët në Maqedoni dhe në rajon. I ushqeu nacionalistët, i dha alibi të fuqishëm pushtetit në Shkup për të injoruar kornizën negociuese dhe bëri të kundërtën e asaj për të cilën paralajmëronte në raport: e hodhi këtë shtet të vogël dhe të dezorientuar ballkanik në duart e Beogradit. I nguli edhe një thikë pas shpine idesë dhe shpresës evropiane. Këto janë efektet e raportit të shumëpritur të Tomas Vajc për progresin e Maqedonisë.
Zbogum Evropë… a ndoshta shihemi në… Bullgari?
Prandaj, lamtumirë Evropë – ndoshta do të shihemi në ndonjë vend tjetër. Skeptikët do të thoshin se do të shihemi në Bullgari, e cila krenohet me shpërndarjen e pasaportave bullgare për qytetarët e Maqedonisë. Për momentin për arsye ekonomike, por nesër, kush e di? Me ndryshimin e parë të rrethanave gjeostrategjike, ndonjë kërcënim sigurie ose kërkesa e re për riorganizim të brendshëm të Maqedonisë, ndoshta të njëjtët që sot thonë se kanë marrë pasaporta bullgare për arsye ekonomike, do të deklarohen edhe si bullgarë të mirëfilltë. Arsyet ekonomike mund të kthehen shpejt në arsye politike nëse Shqipëria dhe Mali i Zi hyjnë në BE, e Maqedonia mbetet në dhomën e pritjes.
Mësimet nga Kroacia
Ndërsa këtu ne prisnim me ankth raportin e Parlamentit Evropian, Kroacia shënoi 12 vjet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Deputeti nga HDZ, Davor Ivo Stier, tha se rruga e Kroacisë drejt BE-së ishte jashtëzakonisht e vështirë. “U pa se Kroacia, ndryshe nga disa kandidatë të mëparshëm, duhej të bënte shumë më tepër për të bindur shtetet anëtare për të vazhduar me zgjerimin”, tha ai. Deputetja Biljana Borzan nga SDP theksoi se hyrja e Kroacisë në BE ishte një arritje e madhe për shtetin dhe se Kroacia ka përfituar shumë më tepër nga sa ka dhënë. “Është një privilegj i madh të jesh pjesë e një prej bashkësive më të zhvilluara në botë. Liritë në BE janë në një nivel që të gjithë dëshirojnë të jetojnë atje”, tha ajo. Deputeti Stier shtoi gjithashtu se Kroacia ka përfituar 15 miliardë euro më shumë sesa ka dhënë. “Kur hymë në BE ishim në 61% të zhvillimit evropian, sot jemi në 78%. PBB-ja jonë është dyfishuar që nga anëtarësimi”, theksoi ai.
Kroacia dorëzoi aplikimin për anëtarësim në vitin 2003, Maqedonia në vitin 2004. Ata morën statusin e kandidatit në 2004, ne në 2005. Kroacia u pranua në BE në vitin 2013, ndërsa ne ende nuk i kemi nisur negociatat. Anëtarësimi e transformoi Kroacinë. Fondet e BE-së sollën para për infrastrukturë, ekologji, digjitalizim, inovacion dhe zhvillim të shoqërisë. Vetëm për tërmetin e vitit 2020, Kroacia mori një miliard euro nga fondi i solidaritetit evropian.
Kundërshtarët e ëndrrës sonë evropiane ndoshta do të citojnë presidentin kroat Milanoviq, i cili tha se “ka jetë edhe jashtë BE-së”, duke aluduar në agjinoninë disavjeçare të Maqedonisë në rrugën drejt anëtarësimit. Kjo është e vërtetë. Ka jetë edhe jashtë kontinentit evropian, edhe jashtë atij amerikan, madje edhe në Afrikë. Por pyetja mbetet: çfarë cilësie ka ajo jetë?
Prandaj, nëse Maqedonia pas zhvillimeve të fundit i tha vërtet “zbogum” Evropës apo vetëm “mirupafshim”, mbetet çështja më e rëndësishme politike e momentit – pavarësisht përpjekjeve që kjo të mbulohet me parulla patriotike dhe pritshmëri të tradhtuara.
Linku:https://p.dw.com/p/4xWNC