Zbulohen kundërshtarët e përbetuar të Man. Sitit, firmosin kërkesën për dëmshpërblim
Klubet e Mançester Junajtedit, Liverpullit, Arsenalit dhe Totenhemit kanë ndërmarrë nismë ligjore që të sigurohen se mund të kërkojnë kompensim financiar, nëse Mançester Siti do të shpallet fajtor për thyerjet e rregullave financiare të Premier Ligës.
Katër klubet kanë regjistruar formalisht kërkesën e tyre si të interesuara për dëmshpërblim nga “qytetarët” nëse këta të fundit humbin betejën ligjore me Premier Ligën për 115 shkeljet e famshme ndër vite.
Klubet kanë bërë këtë lëvizje pasi ishte afati i fundit për të regjistruar kërkesën e tyre, në të kundërt nuk do të kishin më mundësi ta bënin një gjë të tillë. Kjo lëvizje thekson edhe një herë se si janë ndarë “llogoret” në futbollin anglez. Klubi i Mançester Sitit dyshon prej kohësh se katër klubet në fjalë janë ato që po mundohen në çdo mënyrë të rrëzojnë “qytetarët” të cilët janë bërë dominuesit absolutë të futbollit britanik.
Në fakt, tifozët e Mançester Sitit paguan për një makinë me ekran që të shfaqte logot e këtyre katër klubeve para një mbledhje mes klubeve të Premier Ligës, me fjalët “Richard’s Masters”, që i referoheshin Riçard Masters, shefit ekzekutiv të ligës, duke aluduar se janë ato që kontrollojnë këtë të fundit.