
Zenku: Sulmet ndaj gazetarëve po shtohen, institucionet po heshtin
Kryeredaktori i Agjencisë së Lajmeve Flaka, Driton Zenku, ka reaguar ashpër ndaj sulmit mbi makinën e gazetarit Naser Selmani, duke e cilësuar këtë si një akt që cenon lirinë e shprehjes dhe sigurinë e çdo gazetari në Maqedoninë e Veriut.
“Sulmi ndaj gazetarit Naser Selmani është një akt i papranueshëm që cenon jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe sigurinë e çdo gazetari në Maqedoninë e Veriut. Shprehim solidaritet të plotë me kolegun Selmani dhe kërkojmë që organet kompetente të reagojnë menjëherë, të zbardhin rastin dhe autorët të përballen me drejtësinë”, tha Zenku.
Ai paralajmëroi për rritjen shqetësuese të rasteve të dhunës ndaj gazetarëve, duke theksuar se heshtja institucionale do të thotë mbështetje për dhunuesit:
“Nëse institucionet nuk veprojnë me vendosmëri, rrezikojmë të zbresim më poshtë në listat ndërkombëtare për lirinë e mediave. Heshtja është mbështetje për dhunuesit. Solidariteti ynë është arma më e fortë për të mbrojtur profesionin tonë dhe të drejtën e qytetarëve për informim të lirë dhe të paanshëm”. Flaka