
Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti: “Një hap i ri drejt atdheut – më shpejt, më lehtë dhe më afër se kurrë”
Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës kufitare dhe për të lehtësuar kalimin për qytetarët dhe mërgimtarët, veçanërisht gjatë sezonit veror, Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka deklaruar sot se po hapet një rrugë e re drejt atdheut – më e shpejtë, më e lehtë dhe më afër se kurrë më parë.
Në një prononcim për mediat, Dauti theksoi se implementimi i sistemit “One Stop Shop” përfaqëson jo vetëm një përparim teknologjik, por një mënyrë të re të të menduarit, që vë qytetarin në qendër të shërbimeve.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Tani të gjitha kontrollet bashkohen në një vend të vetëm, duke përshpejtuar dhe thjeshtuar kalimin kufitar për qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që kthehen në vendlindje për pushime apo vizita familjare,” – u shpreh Dauti.
Sipas tij, investimi në këtë sistem modern dëshmon përkushtimin e autoriteteve për të ndërtuar kufij funksionalë – të hapur për njerëzit dhe të mbyllur për pengesat.
“Është koha që qytetari të ndjejë se shteti është në shërbim të tij. Ky projekt nuk është thjesht për doganat – është për të gjithë ata që duan një përvojë më dinjitoze dhe efikase sapo të prekin tokën e atdheut,” – përfundoi Dauti.
Ky sistem pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave kufitare, duke sjellë përfitime afatgjata për qytetarët dhe komunitetet lokale.