
Zjarret në Maqedoni, me helikopterë policorë janë hedhur mbi 45 ton ujë
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se vetëm në Çuçer Sandevë janë hedhur mbi 45 ton ujë me helikopterë policorë, transmeton TV21.
“Helikopteri policor 412 sot sërish është përfshirë në shuarjen e zjarrit në komunën e Çuçer Sandevës. Edhe përskaj kushteve të rënda për shuarjen, për shkak të terrenit të paqasshëm dhe padukshmërisë për shkak të tymit, helikopteri policor ka hedhur mbi 45 ton ujë në mbështetje të ekipeve në terren për vendosjen në kontroll të të njëjtit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë njoftuar se deri në orën 21:00, janë regjistruar gjithsej 30 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave 10 janë aktive, 19 janë shuar dhe 1 është lokalizuar.
Nga QMK gjithashtu kanë njoftuar se Zjarri që është aktiv në territorin e Çuçer Sandevës, për fat të keq, ende nuk është vënë nën kontroll, pavarësisht intervenimeve ajrore.
Për nesër është planifikuar që aksionet të fillojnë që në orën 5:00 të mëngjesit, me angazhimin e të gjitha forcave institucionale dhe komunale në tërë sipërfaqen e përfshirë, me mbështetje nga dy mjete ajrore të MPB-së. Në orët e mbrëmjes, ekipet do të mbeten në terren dhe do të intervenojnë sipas prioriteteve dhe nevojave.
Nga atje kanë bërë të ditur se në numrin e telefonit për thirrje urgjente 112 në QMK për momentin nuk ka denoncime se zjarri ka përfshirë shtëpi.
“Ka vetëm denoncime se zjarri është afër shtëpive, por jo se edhe është përfshirë ndonjë shtëpi”, thonë nga QMK-ja.