
Zjarret në Shkup nxisin krizë politike: Qeveria dërgon alarme te ambasadorët, përmenden emra të njohur!
AA
Shkup, 12 korrik – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Jashtme i kanë dhënë dritë jeshile mbrëmë një mesazhi-informatë deri te ambasadorët e huaj në Shkup, ndërsa “informojnë” për një, siç thuhet në mesazh, “përpjekje të koordinuar për të destabilizuar rendin publik në Shkup”. Mesazhi te i cili ka arritur gazeta KOHA, i është dërguar drejtpërdrejtë ambasadorëve në anglisht, ndërsa në të përmendet kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti, dy persona nga Hani i Elezit dhe një nga Gërçeci.
“Sipas këtyre të dhënave, nën drejtimin e Blerim Bexhetit dhe në koordinim me Danela Arsovskën, po organizohen qëllimisht zjarre të qëllimshme në zona të ndryshme të qytetit. Këto akte raportohet se po ekzekutohen nga individët B.Vila nga Kosova dhe I.Luri, me synim krijimin e kaosit dhe diskreditimin e kapaciteteve të shërbimeve publike”, thuhet në mesazhin që zyrtarë qeveritar i kanë përcjell ambasadorëve në Shkup.
“Ajo që është veçanërisht shqetësuese është fakti se thuhet se fëmijë po përdoren si ndihmës në disa nga këto operacione, nën udhëzimet e M. Sulejmanit. Gjithashtu, në muajin qershor, B. Vila ka qenë i përfshirë në një incident me armë zjarri së bashku me aktivistë të koalicionit VLEN. Nuk ka pasur viktima apo të lënduar, dhe ngjarja nuk është raportuar në organet kompetente”, thuhet në letër-mesazhin e zyrtarëve të Qeverisë në Shkup, ndërsa shtojnë se ditëve në vijim do të ketë informacione shtesë dhe më konkrete.
Në fund të mesazhit, zyrtarët e Qeverisë luten që ky informacion të ndahet sa më shimë me Ambasadorët e BE-së, “në mënyrë që të jenë të informuar mbi seriozitetin e çështjes”.
Por, duket se ky mesazh të jetë i përgatitur qëllimshëm që të krijohet huti në opinion. Ditë më parë u tentua të akuzohet Iljaz Leskovica, kryetari i Degës së BDI-së në Shutkë, si organizator i zjarreve në afërsi të Shutkës. Shtëpia e tij u bastis, por ai u la i lirë në mungesë të informatave. Në Shutkë, konkretisht në Vizbeg zjarri i madh që shpërtheu në “varrezën e veturave”, doli të jetë maqedonas dhe i afërt me VMRO-në.
Po dje, vetëm mediat e afërta me Qeverinë shpejtuan ta nxjerrim lajmin se Leskovica dhe kryetari i Shutkës, Kurto Dudush janë arrestuar, ndërkohë që nga MPB nuk pati asnjë komunikatë zyrtare.
Në ndërkohë, është Danella Arsovska ajo e cila ka “demaskuar” tentimin e Qeverisë për të krijuar huti dhe gjetur fajtorin fiktiv për zjarret.
Në një postim në Facebook, Arsovska thotë se gjithçka është trillim i “Shtabit për menaxhimin e krizës”.
“Kanë trilluar një skenar të ri: kur të ketë zjarre, të thonë se unë jam fajtore, që i organizoj për të destabilizuar shtetin. Dhe këtë, me gjithë mend, e kanë shkruar nëpër mesazhe, madje edhe ambasadorëve, për ta paralajmëruar ‘planin’ që, gjoja, ua kanë dhënë burime ‘të sigurta’ të shërbimeve inteligjente”, shkruan kryetarja e Shkupit, ndërsa pyet VMRO-në: A keni fare turp, bashkë me komandantët tuaj të dashur të UÇK-së?
Në BDI thonë se mesazhi dhe përmendja e shqiptarëve në të, madje edhe të shtetasve të Kosovës, është “meritë” e shqiptarëve të VLEN-it, pasi janë në kaos nga akuzat e Arsovskës për krime ndërtimore në Çair. Sigurojnë se i kanë sqaruar ambasadorët për tentimet e Qeverisë dhe se të kota janë mesazhet që fajësojnë BDI-në dhe shqiptarët për dështimet e Qeverisë VMRO-VLEN. (koha.mk)