Zyrtare, piloti nga Zelanda e Re bashkohet me Maks Verstapenit te “Red Bull”
Tashmë është zyrtare! Liam Lauson është piloti i ri i “Red Bull”-it për sezonin 2025 të Formula 1 dhe do t’i bashkohet Maks Verstapenit në skuadër. Ai do të zërë vendin e meksikanit Serhio Perezit.
Skuadra e Milton Kejnsit i ka besuar talentit të ri i ardhur nga Akademia, i cili mundi konkurrencën e Juki Tsunoda-s. Lauson e mbylli këtë sezon te skuadra e RB Racing, makina satelit e “Red Bull”-it. Marrëveshja mes palëve ka të bëjë vetëm për një vit, 2025 dhe, për rrjedhojë, nuk duket të jetë shumëvjeçare. Prandaj, Lauson do të duhet të fitojë besimin e skuadrës për të qëndruar sa më gjatë aty.
23-vjeçari nga Zelanda e Re do të ketë një mision të vështirë, teksa do të ketë shok skuadre një pilot 4 herë kampion bote. Ai do të ndihmojë skuadrën në rikthimin në majën e botërorit për konstruktorë.