
Zyrtarisht u mbyll USAID-i, vetëm në Maqedoninë e Veriut ishin investuar rreth 900 milionë dollarë
Duke filluar nga kjo e martë e 1 korrikut, merr fund zyrtarisht roli i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), raporton TopChannel. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përmes një njoftimi zyrtar në Departamentin e Shtetit, njoftoi ndryshimin në mënyrën se si do të menaxhojë ndihmën e huaj, duke u shprehur se “Për amerikanët dhe shumë njerëz në të gjithë botën, 1 korriku shënon fillimin e një epoke të re të partneritetit global, paqes, investimeve dhe prosperitetit”.
“Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara gjatë dekadave, u bë e qartë se USAID ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë. Nga 1 korriku, USAID do të pushojë së zbatuari ndihmën e huaj. Programet e ndihmës së huaj, që përputhen me politikat e administratës amerikane, do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të ofrohen me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio, kritikon ashpër mënyrën sesi USAID ka funksionuar, duke thënë se agjencia “shpesh promovonte ide dhe grupe anti-amerikane” dhe e kishte modelin e saj të ndihmës si një “bamirësi” dhe jo si instrument të politikës së jashtme që shërben për interesat amerikane.
USAID shpërndante fonde edhe në vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Nga të dhënat që publikoi i dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell, në fillim të këtij viti, rezultonte se organizatat joqeveritare në Ballkan kishin përfituar nga fondet e USAID vlerën prej 1.7 miliardë dollarësh në periudhën 2020-2024.
Mbyllja e zyrave të USAID në të gjithë botën dhe menaxhimi i ndihmës së huaj nga DASH, sipas Sekretarit Rubio, do t’i vendosë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një pozicion më të fortë kundër modeleve shfrytëzuese të ndihmës, si ai i Kinës, dhe do të sjellë një “epokë të re partneriteti global, paqeje, investimesh dhe prosperiteti.”
Në 30 vitet e fundit, USAID-i përmes projekteve të shumta në Maqedoninë e Veriut ka investuar plot 900 milionë dollarë.
Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova priti më 7 qershor në një takim lamtumire përfaqësuesen e USAID-it në Maqedoninë e Veriut, Jerry Dibble, në prani të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, e cila ka shpreh zhgënjimin e saj për mbylljen e zyrës së USAID-it në vend.
Ndryshe, ngrirja e asistencës financiare për shoqërinë civile dhe sektorin joqeveritar përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID (ose USAID, siç përmendet rëndom në media) ka shkaktuar një stuhi reagimesh në vend, me pikëpamje krejtësisht të kundërta. Një agjenci e pavarur e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për administrimin e ndihmës civile të huaj dhe zhvillimit, ajo u themelua në vitin 1961 nga Presidenti John F. Kennedy – fillimisht nga Kongresi i SHBA-ve si Akti i Ndihmës së Jashtme, dhe më pas me urdhër ekzekutiv nga Kennedy – me qëllim të bashkimit të disa organizatave dhe programeve të ndihmës së huaj ekzistuese më parë nën një agjenci.