Zyrtarizohet programi për “Garana Fight Night”
Me 20 korrik, në Garanë të Kërçovës do të ketë një spektakël boksi me përmasa evropiane e botërore dhe i paparë deri më tani në një vend periferik në vendin tonë. Në organizimin e promotorit të njohur Dyli Salihu, do të organizohet “Garana Fight Night”, ku meçin kryesor të mbrëmjes do t’a zhvilloj boksieri me prejardhje nga ky fshat, Mersim Zeqiri, me ç’rast ai, para bashkëvendasve të tij do të luftoj për dy tituj internacional “UBO – UBF”.
Ai, pas vetëm një viti në boksin profesionist, tani ka fituar të drejtën të luftoj për këta dy tituj, ndërsa kundërshtari i tij do të vij nga Venezuela e Amerikës Latine dhe është Gregorio Domingues, e në rast të fitores do t’i hapen dyert që në të ardhmen të luftoj edhe në evente më të mëdha botërore. Pos Zeqirit, në këtë mbrëmje do të paraqiten edhe boksierë tjerë shqiptar të njohur si Aleksander Kallashi, Viktor Cakiqi, Xhon Gjini e të tjerë.
Promoteri i këtij spektakli, Dyli Salihu, është shprehur se përgatitjet për organizimin e këtij eventi kanë nisur qysh para shtatë muajsh dhe tani të njejtat janë në përfundim e sipër, me ç’rast të pranishmit në “Garana Fight Night” me 20 korrik, do të kenë mundësinë të shijojnë me të vërtet një spektakël të përmasave evropiane dhe botërore.