23 ditë jashtë kalendarit kushtetues, VV i jep vetes kohë: PDK dhe Aleanca sërish vetmas në Kuvendin e pakonstituuar
Deputetët e zgjedhur të PDK-së dhe Aleancës sërish edhe këtë të dielë janë mbledhur në Kuvend, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Partia Vetëvendosjse vazhdon të mos thërrasë seancës konstitutive duke pretenduar se po synojnë marrëveshje për presidentin me LDK-në.
Raportimet e mediave duke u thirrur në burime thonë se Bekim Sejdiu, ish-gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, është emri që i po qëndron Albin Kurti.
Afatet kushtetuese për konstituimin e parlamentit kanë kaluar prej më shumë se 20 ditësh.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri, e akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për bllokim të institucioneve.
“Si rezultat i fuqisë së madhe politike që qytetari i Kosovës ia ka dhënë Albin Kurtit, po i shohim skenarët e tij politikë”, tha Tahiri.
Sipas tij, Kurti po e përdor rezultatin zgjedhor për të ndjekur një agjendë që pengon funksionalizimin e shtetit.
“Albin Kurtit nuk po i mjafton pushteti 100%. Ai e do përmbysjen e shtetit”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Tahiri e kritikoi edhe kushtëzimin e konstituimit të Kuvendit me marrëveshjen për presidentin.
“Pse nuk po e mbërrin marrëveshjen politike? Pse nuk po e gjejnë kandidatin e përbashkët?”, tha ai.
Sipas Tahirit, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet nga Kuvendi dhe jo të përdoret si arsye për shtyrjen e konstituimit.
“Presidenti që ka me u zgjedh ka me u zgjedh prej këtij kuvendi”, tha ai.
Edhe deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, e akuzoi LVV-në për bllokim institucional.
“Edhe sot, sikurse ato ditë, me sinqertë po e konstatojmë bllokadën e re të Kuvendit të Kosovës”, tha Ramadani.
Ai theksoi se deputetët opozitarë ishin në sallë, ndërsa deputetët e Vetëvendosjes mungonin.
“Kjo që po ndodh sot në Kosovë, për ne nuk është betejë partiake. Kjo që po ndodh sot në Kosovë, për ne nuk është as kërkesë partiake”, tha Ramadani.
Ramadani akuzoi LVV-në se po e vendos pushtetin mbi funksionimin institucional.
“Ne po flasim për shtetin. Këta po flasin e po bëjnë gjithçka veç për pushtetin”, deklaroi ai.
Ndërkohë, LVV-ja vazhdon ta mbrojë nevojën për marrëveshje politike para ecjes përpara me procesin institucional.
Deputetja e zgjedhur e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se marrëveshja me LDK-në duhet të përmbyllet sa më shpejt.
“Unë uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecim përpara”, tha Haxhiu.
Ajo tha se Kosova përballet me përgjegjësi dhe reforma që kërkojnë institucione funksionale, përfshirë obligimet në proceset integruese.
“Le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për këtë proces të rëndësishëm”, deklaroi Haxhiu.