Shtatë futbollist me karton të verdhë në prag të përballjes me PSZH-në
Të premten në mesditë është hedhur shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ku Barcelona do të përballet me gjigantin francez Paris Sen Zhermenin. Jo më pak se shtatë lojtarë të Barcelonës duhet të kenë shumë kujdes në ndeshjen e parë ndaj parisienëve, pasi nuk i kanë punët mirë me kartonët.
Pasi kanë eliminuar kampionin në fuqi të Italisë, Napolin, katalunasit tani kanë për synim ta eliminojnë edhe kampionin francez PSZH. Me ndeshjen e parë në Paris më 10 prill, shtatë futbollistë të skuadrës së Çavit do të duhet të ndjekin vijën në frontin disiplinor: Lamine Xhamal, Andreas Kristensen, Ronald Arauho, Zhoao Feliks, Serhi Roberto, Frenki de Jong dhe Ferran Torres të cilët aktualisht janë një karton të verdhë larg një pezullimi nga Liga e Kampionëve.
Nëse ndonjëri nga ta merr karton të verdhë në ndeshjen e parë në “Parc des Princes”, ata do të mungojnë një javë më vonë në Kataluni. Pritet të jenë dy ndeshje spektakolare mes PSZH-së dhe Barcelonës, ku dy skuadrat synojnë t’i shkojnë në fund garës më të madhe evropiane për klube.