PDK-ja kërkon menjëherë mbledhjen e Kuvendit: Projektligji për Specialen të jetë pika e parë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë.
PDK-ja ka rikujtuar se që nga muaji gusht ka kërkuar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit, duke vlerësuar se vonesat kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale.
Kjo parti ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe që si pikë të parë të rendit të ditës të përfshihet Projektligji për Dhomat e Specializuara.
PDK-ja e ka cilësuar votimin e kësaj nisme si “prioritet kombëtar”, duke thënë se ajo synon drejtësinë, mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Sipas PDK-së, Kuvendi ka edhe 13 ditë për të përmbyllur proceset institucionale, për të votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.