Largohet Dejvid Mojs, në vend të tij vjen Zhulien Lopetegi
Uest Hemi do të zyrtarizojë së shpejti Zhulen Lopetegin si trajner të ekipit. Ish-trajneri i Spanjës dhe Realit të Madridit u identifikua si zgjedhja e parë e “Çekanëve” për të zëvendësuar Dejvid Mojsin, sapo të përfundonte sezoni.
Tani që Premier Liga është mbyllur, Lopetegi mund të nënshkruajë kontratën, për të cilën është rënë dakord që në fillim të muajit, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.
Gjatë fazës parasezonale është parashikuar që Uest Hemi të qëndrojë për dy javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndeshjet kundër Kristal Pallasit dhe Vulverheptonit.
Ironikisht, Lopetegi kaloi gjysmën e dytë të sezonit 2022-23 me Vulverheptonin, duke e udhëhequr klubin drejt mbijetesën. Lopetegi fitoi Ligën Europa me Seviljën në vitin 2020 përpara se të transferohej tek Vulverheptoni, dy vjet më vonë.