Pas finales së Kopa Amerika, arrestohet për akte dhune drejtuesi i FIFA-s
Finalja e Kupës së Amerikës në Majemi do të kujtohet gjatë si një eveniment i organizuar mes kaosit dhe dhunës, e jo aq shumë si finalja ku Argjentina mundi Kolumbinë. Shpërthimi i dyerve nga tifozët pa bileta para ndeshjes, kaosi në tribuna, apo shtyrja e zhvillimit të takimit për më shumë se një orë, bëri që futbolli ndoshta të kalonte në plan të dytë në këtë aktivitet.
Dhe kaosi ka vazhduar edhe pas ndeshjes, duke bërë që të përfundonte në pranga Ramon Hesurun, presidenti i Federatës së Futbollit të Kolumbisë. Hesurun përballet me akuzat për ushtrim dhune në tre raste, pas një përplasje që kishte me forcat e sigurisë në stadium, në të cilën u përfshi edhe djali i tij 43-vjeçar.
Sipas policisë, të dy këta persona kishin nisur një sherr masiv me forcat e sigurisë që po bllokonin një tunel kalimi në ambientet e brendshme të stadiumit. Policia bën të ditur se kur një roje i kishte vendosur dorën në gjoks presidentit të Federatës për ta ndalur, i biri e kishte kapur nga fyti dhe e kishte goditur me grusht, duke nisur sherrin masiv.