“Vrasja e Fatonit u paralajmërua një ditë përpara”,eksperti zbulon detajet: Ja kush kishte dëshirë ta shihet të vdekur
Autoritetet serbe ende nuk e kanë bërë të ditur kohën dhe mënyrën se si do të mund të sillet në Kosovë trupi i pajetë i Faton Hajrizit, shtetasit kosovar të vrarë nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Hajrizi, që ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Kërkimi disa orësh i policisë së Serbisë për Faton Hajrizit rezultoi në kapjen dhe vrasjen e tij.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 22 korrik bëri të ditur se kanë konfirmuar identitetin e Hajrizit nga shenjat e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet serbe përmes Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor (ILECU) në kuadër të Misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.
Gjithashtu, për këtë çështje ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, ku gjatë mbledhjes së qeverisë tha se sqarimi i rrethanave që nga ikja e Hajrizit në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij e raportuar, “kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar”.
Në këtë pikë, parashikimet janë të mëdha se Serbia, do e politizojë këtë rast, kjo për ta përmirësuar pozitën e saj dhe në të njëjtën kohë për ta ‘goditur’ Kosovën me akuza për terrorizëm.
E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj.
Si fillim, ai tha se shteti serb do përpiqet ta manipulojë rastin e Hajrizit, pasi po tentojnë të gjejnë një mënyrë që përmes këtij krimi ordiner ta fajësojnë Kosovën për terrorizëm.
“Natyrisht që nuk do të jetë situatë e politikave të zakonshme ditore, mirëpo vrasja e Fatonit do të tentohet që të manipulohet në funksion të politikave dhe retorikës agresive nga ana e Serbisë, sepse tendenca e tyre është që të gjejnë një mënyrë që një krim ordiner ta shndërrojnë në terrorizëm shtetëror për të cilin do të fajësohet qeveria e Kosovës”, nënvizoi eksperti.
Po ashtu, Gecaj komentoi edhe vlerësimet e gabuara të Serbisë, ku në fillim e akuzonin vëllain e Fatonit.
“Serbia ia ka vështirësuar punën vetes me vlerësimet e para të gabuara për vrasjen ku u fajësua i vëllai i Faton Hajrizit, dokumentat e të cilit u gjenden në vendin e vrasjes së policit serb.
Me të kuptuar se vrasësi ishte Fatoni e jo i vëllai kjo tani ka krijuar rrethana të reja me të cilat Serbia duhet të ripërshtatet duke sajuar tregime të tjera”, tha ai.
Ndër të tjera, eksperti tha se gjithë këto pretendime, politikanët serbë po i shfrytëzojnë për disa qëllime.
Madje, ai tha se vrasje e Fatonit u paralajmërua nga Vulin.
“Këto sajesa në fund të fundit politikanët serbë i shfrytëzojnë për të mbajtur nivelin e lartë të frymës nacionaliste serbe kundër shqiptarëve çka nënkupton se në raport me Kosovën kërcënimet do të jenë vetëm verbale dhe fajësuese. Sidoqoftë, vrasja e Fatonit u paralajmërua një ditë para vrasjes së tij nga ana e Aleksandar Vulin i cili deklaroi se më me dëshirë do ta shihte Fatonin të vrarë…”, përfundoi Hysen Gecaj