Dy raste me plagosje në Prishtinë, Policia jep detaje
Gjatë natës së sotme kanë ndodhur dy raste me të shtëna armësh. Në të dy rastet sipas Policisë raportohet për të plagosur.
Flora Ahmeti, zëdhënëse në policinë rajonale të Prishtinës konfirmoi për Insajderin duke treguar se “sot rreth orës 19:30 policia ka marrë informatën se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policorë të stacionit Veriu në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast i cili është cilësuar si vrasje në tentativë”.
Ndërsa, për plagosjen në orën 22:40, Ahmeti tha “kemi marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën Maliq Pashë Gjinovci në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person”.
“Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore, deri tani është arrestuar një person i dyshuar”, shtoi ajo.