Galliani në altar, martohet me partneren 23 vjeçe më të re
Adriano Galliani, CEO aktual i “Monza Calcio”, po përgatitet të bëjë dasmë. Në moshën 80-vjeçare (i mbushi korrikun e kaluar), drejtori i njohur sportiv italian vendosi të martohej me partneren e tij Helga Kosta, të cilën e ka në krah prej më shumë se 13 vitesh. Publikimet e dala në tabelën e njoftimeve të Bashkisë së Milanos, qyteti i banimit të çiftit, zbulojnë se data e celebrimit ishte 9 shtator.
“Po”-ja fatale mes Adriano Gallianit dhe Helga Kosta u dëgjua në dhomën e Këshillit të bashkisë së Monza, vendlindja e ish-drejtorit ekzekutiv të Milanit. Ceremonia ishte intime dhe sipas riteve civile. Mes dëshmitarëve të zgjedhur nga çifti, sipas “Dagospia”, ishin Xhixhi Marzullo, miku historik i Gallianit, dhe Kristina Rosello, avokate e besuar e familjes “Berlusconi”, deputete e “Forza Italia”.
Për ngjarjen e madhe, dasmën, Galliani dhe Kosta kanë zgjedhur një vend të jashtëzakonshëm. Pritja do të mbahet në “Villa Gernetto”, një rezidencë historike e vendosur në Gerno, fshat i Lesmo, në provincën e Monza dhe Brianza. Një vilë madhështore neoklasike, e ndërtuar në shekullin e 18-të, e cila u ble nga Silvio Berlusconi në vitin 2007 dhe falë restaurimit të përpiktë i është kthyer lavdisë së dikurshme.
Ajo me Helga Kosta nuk është hera e parë në altar për Adriano Gallianin. Nga martesa e tij e parë pati tre fëmijë; Micol, Gianluca dhe Fabrizio. Më pas, në vitin 1989, u martua me Daniela Rosati, fytyrë e njohur në televizionin e asaj kohe. Martesa e tyre zgjati 10 vite, deri më 1999.
Pas divorcit nga Rosati, Galliani u rimartua në vitin 2004 me Malika El Hazzazi, një modele me origjinë marokene, por u divorcua 4 vite më vonë. Në vitin 2011, Helga Kosta mbërriti në jetën e menaxherit nga Brianza dhe që atëherë fatet e tyre nuk janë ndarë më.
Helga Kosta, 57 vjeçe, me origjinë braziliane, por me kombësi spanjolle, është gruaja që ka qenë në krah të Adriano Gallianit për më shumë se 13 vite. Ajo është tejet e rezervuar, aq sa nuk ka as profil në rrjetet sociale. Galliani në një intervistë të disa viteve më parë e cilësoi si “pikë referimi për familjen time, fëmijët e mi, veçanërisht vajzën time”.