Obi Mikel zbulon prapaskenat e bisedimeve mes Çellsit dhe Viktor Osimhen
Xhon Obi Mikel, ish-mesfushori i Çellsit, bëri disa deklarata në “Podcast”-in e tij, duke treguar një histori në lidhje me dështimin e Viktor Osimhen nga Napoli te blutë e Londrës. Ai pretendon se ka ndjekur nga afër negociatat dhe tregon se si shkoi.
“Ishte shumë afër me Çellsin. Ishim një hap larg arritjes së kësaj marrëveshjeje, por kishte vetëm disa probleme të vogla, të cilat thjesht nuk mund t’i kapërcenim. Edhe nëse do t’i kishim bërë marrëveshja, ishte tepër vonë për vizitat mjekësore”, tha Obi Mikel.
Ai mbron fuqishëm mikun Osimhen.
“Viktori është i zhgënjyer, ai me të vërtetë donte të vinte në Çellsi dhe ai duhej të bënte kompromis për të arritur një marrëveshje për sa i përket pagës, për atë që donte. Viktori nuk është një djalë i pangopur, ai thjesht dëshiron të luajë futboll dhe të marrë atë që meriton. Ky nuk është problem, një lojtar që e di se çfarë vlen dhe kërkon dhe pret të paguhet atë që vlen, nuk është problem,” tha Obi Mikel.
Osimhen, më pas rinovoi me Napolin deri në vitin 2027 dhe shkoi në huazim për një sezon te Gallatasarai. Obi Mikel beson se ky transferim mund të kryhet pas një viti.
“Ai është një nga sulmuesit më të mirë në botë për momentin, unë e di se çfarë mund t’i sjellë klubit të Çellsit”.