Marash Kumbulla, më në fund prezantohet te Espanjolli
Marash Kumbulla, pavarësisht se ka luajtur ndeshjet e para me Espanjolin, vetëm dje ai është prezantuar me klubin e ri. 24-vjeçari u shpreh se ndihet mirë në Spanjë.
“Shumë i lumtur që jam këtu, kur më lindi rasti, bëra të pamundurën për të ardhur këtu. Jam ndier shumë mirë këto tri javë, gjithçka ka qenë pozitive brenda dhe jashtë fushës dhe shpresoj që gjithçka të vazhdojë kështu”, thotë fillimisht mbrojtësi.
Kumbulla ka falënderuar besimin e marrë, si nga trajneri Manolo Gonzales, ashtu edhe nga tifozët, të cilët janë të kënaqur me paraqitjen e tij, duke shpjeguar se ka mbetur i befasuar nga përshtatja e tij e shpejtë, gjë për të cilën është pritur nga shokët e skuadrës dhe stafi.
Sa i përket asaj se çfarë ai pret me bardheblutë këtë sezon, Kumbulla ka pranuar se bëhet fjalë për të luajtur sa më shumë dhe për të arritur objektivat kolektive të skuadrës, pavarësisht se për momentin ai mendon vetëm që të jetë në lojë çdo ndeshje.