Vetëvendosje reagon zyrtarisht për tërheqjen e Bekim Sejdiut nga gara për president
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhje për tërheqjen e profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Kosovës.
Në një reagim, VV ka thënë se Sejdiu ishte kandidat i përbashkët i saj dhe LDK-së, pas marrëveshjes së arritur mes dy partive.
Sipas VV-së, marrëveshja u pengua pasi një pjesë e deputetëve të LDK-së dolën kundër kandidaturës, ndërsa PDK-ja dhe Aleanca deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e votimit.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! i qëndroi kësaj marrëveshjeje dhe kandidatit të përbashkët deri në fund”, thuhet në reagim.
VV e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi.
“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, thuhet në reagim.