MPJD e konfirmon: Lirohet Sadik Duraku nga paraburgimi në Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se Sadik Duraku, i cili po mbahej në burgun e Serbisë, është liruar.
Duraku ishte arrestuar me 17 prill të këtij viti, nën akuzën se ka kryer krime lufte nën petkun e UÇK-së.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton që është liruar z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri me dije se do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla duke njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.