Ja sa para u transferuan nga Alta Bank nga Serbia në Maqedoni pas zgjedhjeve? Ja çfarë zbuluan kontrollet e Bankës Popullore!
Guvernatori i Bankës Popullore së Maqedonisë, Trajko Sllaveski, hodhi poshtë spekulimet për transferime të dyshimta miliona eurosh nga Serbia drejt Maqedonisë së Veriut përmes “Alta Banka”, duke pohuar se kontrollet kanë treguar se bëhet fjalë për pagesa të rregullta afariste të klientëve.
Në paraqitjen e tij në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, Sllaveski paraqiti të dhëna konkrete për transaksionet financiare të realizuara pas zgjedhjeve në Serbi, duke theksuar se nga “Alta Banka Manastir” drejt Serbisë janë transferuar 180.000 euro, ndërsa në drejtim të kundërt, nga Serbia drejt Maqedonisë, kanë arritur vetëm 16.000 euro.
“Përsëris, 180.000 euro janë pagesa të zakonshme dhe të rregullta nga ‘Alta Banka’, përmes ‘Alta Banka Manastir’, drejt Serbisë. Këto janë transaksione të verifikuara. Bëhet fjalë për disa biznese të vogla në Maqedoni që importojnë mallra dhe kryejnë pagesa”, deklaroi Sllaveski.
Ai potencoi se edhe më e vogël është shuma e parave që në të njëjtën periudhë kanë arritur nga Serbia në Maqedoni.
“Ajo që është më interesante, në vend nga Serbia kanë hyrë vetëm 16.000 euro pas zgjedhjeve, deri në këtë moment. Bëhet fjalë për transaksione të lidhura me punën e rregullt të klientëve të bankës. Aspak miliona, aspak transferime të dyshimta, asnjë shpëlarje parash e kështu me radhë”, nënvizoi guvernatori.
Sllaveski i bëri apel publikut, subjekteve politike dhe mediave të ndalojnë përhapjen e informacioneve të paverifikuara, duke paralajmëruar se krijimi i panikut në sektorin bankar mund të ketë pasojë të rënda.