Bordi i skuadrës së Gjilanit i jep përkrahje Ardian Nuhiut për punën e tij
Ardian Nuhiu do të mbetet trajner i klubit të futbollit, Gjilani. Te klubi gjilanas i besojnë punës së teknikut shkupjan, ndonëse Gjilani zë vendin e tetë më 14 pikë. Ka tri fitore, pesë barazim e pesë humbje.
“Pas diskutimeve të hollësishme dhe analizimit të situatës, Bordi ka vendosur që të ofrojë mbështetjen dhe besimin e plotë për kryetrajnerin Nuhiu dhe gjithë stafin teknik, duke konsideruar se kanë dhënë kontribut të paçmueshëm në ndërtimin e ekipit. Besojmë fuqishëm në kryetrajnerin Nuhiu dhe stafin teknik që kanë aftësinë dhe vendosmërinë e duhur për të vazhduar këtë rrugë dhe për të kapërcyer çdo sfidë që mund të hasim. Ne jemi të gjithë bashkë në këtë proces dhe mbështetja jonë ndaj tij dhe stafit mbetet e plotë”, shkruan në njoftimin e klubit Gjilani.
Nuhiu më herët ishte pjesë e rivalit të Gjilanit, Dritës. Me Dritën e fitoi titullin e kampionit.