Real Madridi “thyen” Atalantën, Bajer Leverkuzeni “fik” Interin në fund të takimit
Pesë gola të shënuar, raste të shumta për shënim, në fund feston Real Madrid pas suksesit 3-2 në transfertë përballë Atalantas. Karlo Ançeloti i falet yjeve të ekipit Mbape, Vinicius dhe Bellingam, të tre gjetën rrugën e rrjetës. Golat e De Ketelaere dhe Lookman vetëm sa e bënë më të bukur këtë takim, por pa mundur të shmangin humbjen brenda në shtëpi. Pavarësisht fitores, Reali mbetet larg zonës së sigurt, për momentin renditet në vendin e 18-të.
Një fitore të rëndësishme siguroi Bajer Leverkuzeni përballë Interit. Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 90-të nga Mukiele. Në xhiron e 6-të të Ligës së Kampionëve me fitore dolën ekipet e mëdha, me Bajern Munihun që mposhti 1-5 në transfertë Shakhtar, ndërsa PSZH fitoi 0-3 përballë Salzburg.
Vijon ecurinë perfekte në Ligën e Kampionëve për ekipin e Liverpullit që përballë Xhirona-s siguroi fitoren e 6-të në 6 ndeshje. Sallah realizoi golin e vetëm të takimit.