BDI: E përshëndesim gatishmërinë e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka përshëndetur deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski për gatishmërinë e VMRO-DPMNE-së që, në rast të një kërkese në Kuvend, të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Nga BDI thonë se gatishmëria për të kërkuar zgjidhje përmes institucioneve dhe vullnetit të qytetarëve është përgjegjësi që duhet përshëndetur.
“BDI në vazhdimësi ka theksuar nevojën për një qeveri stabile, funksionale dhe legjitime, e cila do të reflektojë vullnetin politik dhe legjitimitetin e komuniteteve më të mëdha në vend”, thuhet në njoftimin e partisë.
Sipas BDI-së, stabiliteti institucional dhe përfaqësimi i drejtë janë parakushte për përballimin e sfidave të vendit.
Partia vlerëson se gatishmëria politike për t’ua kthyer qytetarëve fjalën përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare paraqet një mundësi serioze dhe institucionale.
Në BDI theksojnë se në këtë proces duhet të vendosen në plan të parë interesi i qytetarëve, legjitimiteti politik dhe stabiliteti afatgjatë i vendit.