FFK dhe Agim Ademi me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Erjon Morinës
Një lajm i rëndë ka ardhur nga bota e sportit, ku futbollisti i Vushtrrisë, Erjon Morina, ka ndërruar jetë pasi për më shumë se një muaj, ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lajmin e hidhur për vdekjen e 22-vjeçarit, e ka dhënë babai i tij përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ylli babit ike ne qiell. Na thave zemrat Erjon! Do jetojme te ngrysur me kujtimet me te bukura per ty! Do jesh ylli qe do na ndriç gjithmonë”, ka shkruar Ilir Morina.
Në fund të tetorit, Erjon Morina, kishte mbetur i shtrirë në fushë gjatë stërvitjeve me Vushtrrinë. Më parë kishte luajtur edhe te Prishtina e Drenica.
Me një telegram urimi ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës dhe kryetari Agim Ademi.
Telegram ngushllimi nga FFK dhe Agim Ademi:
E nderuar Familje Morina,
Të nderuar drejtues dhe staf i FC Vushtrria,
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të birit tuaj të dashur, futbollistit të talentuar të FC Vushtrria, Erjon Morina.
Humbja e Erjonit na ka prekur thellë, jo vetëm si komunitet futbolli, por edhe si shoqëri.
Ikja e parakohshme nga kjo botë ka ndalur ëndrrat e tij rinore dhe karrierën e tij premtuese, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e të gjithë neve.
Erjoni ishte një futbollist me plot pasion – ai ishte një djalë shembullor dhe i përkushtuar për realizimin e ëndrrave të tij, por Perëndia e deshi më herët afër vetes.
Ndarja e tij na la të pikëlluar, por kujtimi për të mbetet i paharruar në zemrat e familjes, bashkëlojtarëve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë.
Në këto momente të vështira, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, të klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit. Ne jemi pranë jush në këtë dhimbje të madhe.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Erjonin!
Me respekt,
Agim Ademi
President i FFK-së