Ndoshta tek 35-vjetori i PD-së do të shkoj…
Nga Eduard Zaloshnja
Si sot 34 vjet u shpall publikisht themelimi i Partisë Demokratike, para rreth 100 mijë qytetarëve të mbledhur në Qytetin Studenti. Meqë isha pjesë e grupit të pedagogëve dhe studentëve që një natë më parë diskutuam sesi do ta quanin partinë e re dhe se çfarë do të përfshinim në programin e saj, nuk mund ta harroj kurrë atë ditë të rëndësishme për historinë e vendit tonë.
Çdo vit themelimi i PD-së festohet, dhe mua më ka ardhur gjithnjë ftesë për të qenë i pranishëm në të. Në më shumë se gjysmën e rasteve nuk kam qenë në Shqipëri, por kur kam qenë, rrallë kam shkuar. Sa më shumë kanë kaluar vitet, aq më pak nga themeluesit kam gjetur atje – dhe shumica dërrmuese jemi ende gjallë!
Deri dhjetorin tjetër, kur të festohet 35-vjetori i themelimit të PD-së, ndoshta një brez i ri udhëheqësish do ta marrin stafetën në dorë. Dhe ndoshta atëhere edhe ne themeluesit e hershëm do të shkojmë me shumicë në festë. Ne ishim të rinj atëherë (Berisha ishte më i madhi në moshë, 46 vjeç), dhe tani presim një brez të ri udhëheqësish që ta drejtojnë partinë që themeluam…
Shënim: Nga disa sondazhe që kam zhvilluar, disa politikanë të brezit të ri rezultojnë me kuota të larta për ta marrë stafetën e udhëheqjes së PD-së pas vitit 2025