Perëndimi po na shtyn drejt “vijave të kuqe”! Putin i jep OK prodhimit masiv të “Oreshnik”
Duke akuzuar Perëndimin për shtyrjen e Rusisë mbi “vijat e saj të kuqe”, Vladimir Putin nisi të hënën kundërsulmin e tij ndaj Perëndimit, duke shtuar se Moska po detyrohet të përgjigjet pasi ka arritur “në situata që i kemi bërë të qarta publikisht se nuk do t’i tolerojmë”.
“Taktika është shumë e thjeshtë: ata na sollën ne te vijat e kuqe, përtej të cilave ne nuk mund të tërhiqemi më, këtu ne fillojmë të përgjigjemi dhe më pas ata trembin popullsinë e tyre me kërcënimin rus, siç bënë në të kaluarën me kërcënimin sovjetik”, the kreu i Kremlinit.
Presidenti rus tha në një takim të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes se Rusia po shikon me shqetësim vendosjen e mundshme të raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme nga SHBA në rajonin Azi-Paqësor, duke vënë në dukje se Moska do të përgjigjet “në mënyrë gjithëpërfshirëse”.
Ai tha gjithashtu se Rusia do të heqë të gjitha kufizimet e veta vullnetare për zhvillimin e raketave nëse SHBA vazhdon me zhvillimin e raketave të tilla, duke theksuar se prodhimi masiv i “Oreshnikut” të ri do të fillojë në të ardhmen e afërt.
“Siç dihet, arma e fundit e fuqishme e Rusisë është bërë sistemi raketor me rreze të mesme veprimi Oreshnik. Në nëntor, në përgjigje të goditjeve në territorin e vendit tonë nga armët perëndimore, u përdor me sukses një raketë balistike me një kokë jo-bërthamore hipersonike”, rikujtoi Putin për sulmin në Ukrainë.
“Në të ardhmen e afërt, prodhimi masiv i sistemeve të tilla duhet të sigurohet për të mbrojtur sigurinë e Rusisë dhe aleatëve tanë”, theksoi ai.
Putin, i cili tha se forcat ruse në Ukrainë kanë marrë nën kontrollin e tyre 189 vendbanime deri më tani këtë vit, theksoi se armët bërthamore të Rusisë janë atje për të penguar Perëndimin, duke shtuar se “vendi do ruajë potencialin dhe zhvillimin e ekuilibruar të forcave bërthamore”.
Ministri rus i Mbrojtjes Andrei Belousov, duke folur pas Putinit, tha se Rusia kishte kapur 4,500 kilometra katrorë të territorit ukrainas këtë vit dhe aktualisht po përparon me një ritëm prej “30 kilometra katrorë në ditë”.
Ai tha gjithashtu se ushtria ruse duhet të përgatitet “për të gjitha zhvillimet e mundshme të situatës, duke përfshirë mundësinë e një konflikti të armatosur me NATO-n në Evropë në dekadat e ardhshme“.
Rusia e refuzon termin pushtim kur bëhet fjalë për sulmin e saj ndaj Ukrainës dhe e sheh si synim të pengimit të NATO-s, së cilës Kievi dëshiron t’i bashkohet, dhe të përballet me një kërcënim ekzistencial. Në këtë kontekst, Vladimir Putin iu referua rritjes së ndjeshme të prodhimit të armëve në vend dhe bëri thirrje për vazhdimin e tij.
“Të gjitha çështjet që lidhen me prodhimin masiv dhe zhvillimin e sistemeve kombëtare për kryerjen e goditjeve, duke përfshirë sistemet ultrasonike, duhet të rregullohen“, tha ai.
Kreu i Kremlinit tha gjithashtu se forcat ruse kanë filluar të përdorin sisteme të automatizuara, me ndihmën e inteligjencës artificiale. “Ushtarët marrin sisteme të avancuara të automatizuara, disa prej të cilave përdorin teknologji të inteligjencës artificiale“, tha ai.