Ka rënë prodhimi, prishet moti në Brazil, shtrenjtohet kafeja në Shqipëri?
Kafeja është një produkt shumë i rëndësishëm në jetën e përditshme të qytetarëve. Çmimi i këtij produkti duke filluar nga viti 2025 pritet të pësojë një rritje.
Dashamirët e kafesë dhe frekuentuesit e kafeneve kanë të ngjarë të përballen me çmime më të shtrenjta së shpejti. Kushtet sfiduese të motit në prodhuesit kryesorë të kafesë në botë, Brazil dhe Vietnam kanë bërë që prodhimi të jetë më i reduktuar duke sjellë kështu edhe mungesa në tregje.
Ndonëse prej kohësh kompanitë e mëdha të prodhimit të kafesë janë përballur me kosto më të larta, ata lajmërojnë se këto çmime do t’i përkthejnë edhe në faturat e konsumatorëve.
Këto çmime pritet t’i reflektojnë edhe bizneset shqiptare sipas konfirmimit të shoqatave, duke qenë se Shqipëria importon sasi të larta kafeje.
Importi i kafesë ndër vite është rritur duke bërë që kërkesa për këtë produkt të jetë e qëndrueshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në 10 muajt e parë të vitit janë importuar rreth 7 mijë tonë kafe.
Kafeja Robusta e cila përdoret më së shumti nga bizneset edhe në vendin tonë në aktivitetin e tyre të përditshëm, po pëson rritje të çmimit në bursa. Në Shqipëri bizneset e kafesë janë aktiviteti i dytë më i preferuar. (A2 Televizion)