Mbrojtësi i Barcelonës largohet në janar drejt skuadrës së La Ligës
Teksa po i afrohemi hapjes së afatit kalimtar të janarit, thashethemet sa i përket të ardhmes së Erik Garsias tek Barcelona vazhdojnë të rriten.
Ish-mbrojtësi i Man. Sitit nuk po gjen hapësirat e duhura nën urdhrat e Hansi Flik, duke bërë që të ketë interesim për shërbimet e tij nga disa klube të ndryshme. Sipas raportimeve të fundit nga Spanja, Xhirona është bërë kandidati kryesor për të nënshkruar me Garsian. Rivali lokal i blaugranasve është i etur që të nënshkruajë sërish me spanjollin pas periudhës së tij të suksesshme në formë huazimi gjatë sezonit 2023/2024.
Duke marrë parasysh se dyshja Ronald Arauho dhe Andreas Kristensen janë shumë pranë rikthimit, zbehen edhe më shumë gjasat që Garsia të aktivizohet në ndeshjet e ardhshme.
Arauho tashmë i është bashkuar pjesës tjetër të ekipit në stërvitje, teksa Kristensen pritet të rikthehet në janar. Një kalim tek Xhirona mund të bëjë që të fitojnë të gjitha palët e përfshira, teksa vet lojtari do të kishte rastin që ta ‘ringjallte’ sërish karrierën e tij.