Sulmuesi i Liverpulit: I lumtur për rekordet, nuk e di me sa gola do ta mbyll sezonin
Mohamed Sallah shënoi golat numër 228 dhe 229 për Liverpulin të dielën në mbrëmje, teksa skuadra e Arne Slotit mposhti Totenhemin, duke fituar 6-3 në Londër. Ai u ngjit në vendin e katërt në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Liverpulit, duke kaluar Billi Lidëllin me 228 gola. Tani objektivi i radhës është Gordon Hoxhson, i cili shënoi 241 gola për “Reds”-at.
Megjithatë, sulmuesi egjiptian mbetet pas Ian Rashit, rekordmenit absolut të golave në “Anfield Road”, pasi uellsiani shënoi 346 gola në 660 paraqitje për Liverpulin. Salah asistoi edhe Dominik Sobozlain për të shënuar golin e tretë të ndeshjes, dhe duke e bërë këtë ai regjistroi asistin e tij të 10- të sezonal në Premier Ligë.
Dhe së bashku me 15 golat e tij në kampionat, ai u bë lojtari i parë në historinë e Premier Ligës që arrin dopio shifra në të dyja kategoritë, gola dhe asiste, përpara Krishtlindjeve. Duke folur për “Sky Sports” pas mbrëmjes së tij të thyerjes së rekordeve të tjera me klubin e kuq, egjiptiani ishte modest në përgjigjen e tij, duke treguar se as që e kishte menduar këtë para ndeshjes.
“Sigurisht, nuk e kisha menduar para ndeshjes, të jem i sinqertë, por jam i kënaqur që e kam bërë disa here. Por po, është diçka që më bën të lumtur. Jam krenar dhe vazhdoj të punoj shumë. Sigurisht, është diçka e mrekullueshme që ta arrish. Është një klub kaq i madh si Liverpuli. Por përsëri, gjëja më e rëndësishme është që ne fituam ndeshjen dhe është e mrekullueshme. Nuk e di se Rash shënoi kaq shumë gola për të qenë i sinqertë. Mendoj se futbolli në atë kohë ishte si shtatë kundër shtatë. Nuk ishte vërtet 11 kundër 11, por ai është një legjendë e madhe për klubin dhe ne kemi një kontakt të mirë. Pra, me çfarëdo shifre golash që unë do ta përfundoj karrierën time, jam i lumtur për këtë. Pra, le të shohim,” tha mes tjerash Sallah.