![Tiago Mota: Duam të fitojmë dhe të arrijmë në finale](https://shprehja.com/wp-content/uploads/2025/01/Thiago-Motta-gives-instructions-during-the-Serie-A-soccer-match-between-Inter-Milan-and-Spezia-850x560.jpg)
Tiago Mota: Duam të fitojmë dhe të arrijmë në finale
Juventusi përballet me mundësinë për të fituar trofeun e parë të sezonit. Bardhezinjtë do të sfidojnë sonte Milanin në gjysmëfinalen e Superkupës Italiane. Në rast suksesi ndaj kuqezinjve, ata do të përballen me Interin, që mposhti mbrëmë Atalantën 2-0, për ta ngritur trofeun. Tiago Mota vuri theksin te rëndësia e sfidës.
Si e pret Milanin, pas ndërrimit të trajnerit?
“Ne do të jemi gati për t’u përballuar me Milanin më të mirë. Jemi mirë fizikisht dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë për të përballuar një skuadër të madhe, që është mësuar me gara të rëndësishme. Çfarë mund ta bëjë diferencën në këtë gjysmëfinale? Në futboll, gjithçka e bën diferencën. Detajet e vogla janë të rëndësishme. Duhet të jemi versioni më i mirë i vetes. Duhet t’iu japim vazhdimësi gjërave që kemi bërë mirë deri tani dhe të marrim kontrollin e lojës.
Trofeu i parë me Juven?
Dua ta fitoj si trajner, prandaj e zgjodha këtë profesion. Nuk është një obsesion për mua, gjithsesi. Po bëj të pamundurën për t’i ndihmuar lojtarët e mi të hyjnë në fushë në formën më të mirë të mundshme. Jam i bindur për aftësitë tona, si individuale ashtu edhe si skuadër.
Në përfundim të konferencës, Motta konfirmoi fundin e ciklit të Danilos te Juventusi
“Nuk është më pjesë e projektit, kemi qenë të qartë. Është një vendim i marrë për të mirën e të gjithëve, përfshirë edhe të tijën”.