
Morata dhe Piulishiçi kërkojnë fitore edhe në finalen e Superkupës
“Jemi në finale falë shpirtit të madh të skuadrës, por duhet të vazhdojmë kështu. Një fitore që na jep besim për të ecur përpara”. Kështu u shpreh Kristian Pulishiç në mikrofonat e “Mediaset”, pas fitores së Milanit ndaj Juventusit në Superkupën Italiane, një ndeshje ku kuqezinjtë arritën përmbysjen 2-1.
Amerikani, që realizoi golin e barazimit 1-1 për Milanin me penallti, pas avantazhit të Juventusit me Yildiz, u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Tani për Milanin vjen finalja kundër Interit, një derbi i gjithi milanez. Pulisic shpreson të përsërisë suksesin e ndeshjes së kampionatit, ku shënoi në fitoren 2-1 të Milanit.
“Interi është një skuadër e madhe, por qartësisht ne duam të fitojmë,” tha mes tjerash Pulishiç.
Alvaro Morata, gjithashtu protagonist i ndeshjes, theksoi se trajneri i ka shtyrë që të besojnë në kualitetet e tyre.
“Juventusi na shënoi menjëherë, ishte e vështirë, por në pjesën e dytë hymë me qëllimin për ta përmbysur rezultatin. Rrezikuam më shumë me më shumë lojtarë përpara dhe kjo na solli më shumë raste. Konseisao na tha që kemi cilësi, por na duhet intensitet për të fituar. Ai na ka sjellë shumë dëshirë dhe energji,” tha mes tjerash Morata.
Morata vazhdoi duke theksuar rëndësinë e trofeut.
“Nuk pati shumë kohë për përgatitje, por mundëm një skuadër të madhe. Tani kemi mundësinë të fitojmë një trofe. Superkupa mund të mos jetë si Liga e Kampionëve apo Serie A, por është e rëndësishme ta pasurojmë palmaresin e një skuadre të madhe si Milani,” tha në fund sulmuesi spanjoll.