
Guardiola: Është e vështirë të luash kundër Real Madridit ose Bajern Munihut
Trajneri i Man. Sitit, Pep Guardiola, ka dhënë reagimin e tij të parë pas shortit të Ligës së Kampionëve, ku skuadra e tij do të përballet me Real Madridin për një vend në raundin e 1/16. Në një konferencë shtypi para ndeshjes me Arsenalin në Premier Ligë, Guardiola foli për sfidën e rëndësishme që i pret në Evropë.
Man. Siti, kampionët e Premier Ligës, kanë përfunduar në vendin e 22-të në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, gjë që i ka lënë me një situatë të vështirë në këtë fazë të garës.
Ky do të jetë sezoni i katërt radhazi që Man. Siti dhe Real Madrid takohen në Ligën e Kampionëve, dhe pas këtyre ndeshjeve, dy skuadrat do të kenë luajtur 14 herë kundër njëra-tjetrës.
“Duket sikur është bërë një derbi tashmë. Katër vite me radhë duke u përballur me Real Madridin. Shpresoj që të arrijmë në formë të mirë këtu dhe një javë më vonë në Madrid në kushtet më të mira”, ka thënë Guardiola fillimisht.
Ndërkohë, ndeshjet me Real Madrid do të jenë të ndërlidhura me sfida të rëndësishme në Premier Ligë, duke përfshirë një takim me Njukasëllin. Guardiola nuk harroi të bënte një shaka për orarin e ndeshjeve.
“Është e vështirë të luash kundër Real Madridit ose Bajern Munihut. Problemi është se në mes kemi një ndeshje me Njuaskëllin dhe gjithmonë ata janë shumë të sjellshëm me orarin tonë… për shumë, shumë vite”, përfundoi ai.